Nis ndërtimi i urës së Mënikut në Ndroq, shërben për 1.200 banorë


loading...

Banorët e fshatit Mënik të njësisë administrative të Ndroqit do të kenë së shpejti një urë të re. Bashkia e Tiranës po i jep zgjidhje shqetësimit disa vjeçar të banorëve, duke nisur ndërtimin e urës, çka do të afroj më shumë banorët e zonës me kryeqytetin për të tregtuar prodhimet e tyre bujqësore. Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur.

“Para një viti e gjysmë dhamë fjalën në këtë komunitet, që një nga investimet do të ishte në urën e Mënikut, një urë e cila lidh 1200 banorë, njerëz punëtorë, të ndershëm, që merren me bujqësi, por që ishin totalisht të ndërprerë nga pjesa tjetër e civilizimit që përfaqëson Bashkia e Tiranës.

Ai shtoi se ajo do t’i shërbejë banorëve për të qenë më afër shërbimeve, por më së shumti do t’i shërbejë transportit të produkteve bujqësore dhe blegtorale drejt Tiranës.

“Kjo është një ndër luginat më pjellore, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shqipëri; është lugina e Erzenit, ku rriten shumica e produkteve bujqësore që furnizon territorin e Tiranës. Është mëkat, fatkeqësi që jemi vonuar kaq shumë, por siç thotë shprehja: “Më mirë vonë se kurrë”! Ndaj, sot fillojmë një projekt i cili do të mbarojë për dy-tre muaj, që është vendosja e gjithë infrastrukturës së këmbëve të urës dhe bazamentit në 60 metra në lumin Erzen. Shpresoj shumë që pranvera të na gjejë me urën e mbaruar, që produktet bujqësore të mos vijnë me kaq sakrificë për të kapur tregun në Tiranë, por të jenë të aksesueshme përmes kësaj ure.

Kryebashkiaku bëri të ditur se ura do të ndihmojë banorët e Mënikut që të mos preken dhe të mos vuajnë pasojat e emergjencave apo kapriçot e motit.

“Këto kanë qenë disa ditë të vështira dhe besoj se të gjithë kemi kuptuar, që pavarësisht gatishmërisë, kemi nevojë për një infrastrukturë që ndihmon në aksesin në spitale, në shkollë, ndërhyrjet e shpejta që shpëton jetët e njerëzve, sidomos në ditë të ftohta si këto të dimrit. Më vjen mirë që kur të vijnë problemet e radhës, Mëniku nuk do të jetë më një lagje e ndarë nga pjesa tjetër e Ndroqit dhe Tiranës, por do të jetë një lagje që është vetëm 60 metra larg pjesës tjetër që do ta mundësojë zhvillimi e ndërtimi i kësaj ure.

Ai përsëriti edhe një herë thirrjen se nisur nga situata e të ftohtit që ka përfshirë vendin, qytetarët të bëjnë kujdes deri në kalimin përfundimtar të kësaj emergjence.

“Më e keqja ka kaluar, por kemi edhe dy ditë të vështira, ndaj do ju kërkoj qytetarëve mobilizim për këto dy ditë të fundit të këtij moti të acartë. Është shumë e rëndësishme që mbrëmë kemi strehuar 193 banorë, kryesisht nga rrethe të tjera në situatë rruge, të pastrehë ose për një arsye apo një tjetër nuk kanë qenë pranë banesës së tyre.

Do vazhdojmë ta bëjmë edhe në ditët në vijim, megjithatë na duhet që dhe këto dy ditë, me solidaritet, dashuri, përkushtim, për të mbyllur me sukses menaxhimin e një krize ndoshta nga më të rrallat e qytetit të Tiranës, për shkak të motit dhe gjithë kushteve atmosferike!”, – tha Veliaj.

9 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Sociale – Gazeta SHQIP Online


Po kerkon te blesh apo shesesh shtepi? Kerkoni shtepi, dyqan me qera?
Kemi mijera zgjidhje, lini kontaktet dhe kerkesen tuaj dhe ne do tju kontaktojme brenda 24 oreve te ardhshme:


Ndihesh i lodhur dhe pa energji gjate dites? Konsumo produkte bio. Kliko Bioearth.al send

loading...



close