Ra Ramushi e u pamë!


loading...

 

Frrok Çupi/

Nuk e di çfarë ka bërë Ramush Haradinaj në luftë, as mundem, as dua të di. Lufta ishte luftë dhe në luftë nuk ka engjëj. Bota sot është e përfshirë në luftë…  Di vetëm një gjë, që e kam çmuar si ecën (ecën si burrë, jo si këta meshkujt qeverisës që i kanë këmbët më të shkurtra se trupin). E kam çmuar kur flet, sepse nuk tjerr fraza dhe më bën të besoj se po thotë atë të vërtetë të thjeshtë që zotëron. Kaq. Nuk më pëlqen që duke e ditur çfarë klime po jeton bota dhe Europa, ky del nga “strofulla” dhe hallakatet nëpër shtetet e botës. Por ja që ra ky rast dhe u pamë me të gjithë rreth Ramushit…

Nuk i besoj as teoritë konspirative mbi arrestimin e tij në Francë; por besoj atë që shikoj: Ramush Haradinaj, me “lëkurën” e tij,  po i bën një shërbim shumë të madh autokracisë në Kosovë dhe në Shqipëri. Këta i janë sulur dhe nuk po i lënë kockë pa thërrmuar luftëtarit të paepur të luftës në Kosovë. Ditën kur të lirohet nga arresti, nuk do të vlejë më; ose do të jetë thjesht një hajmali për këta që po hahen mes veti.

Tanimë Ramush Haradinaj nuk është më Ramush Haradinaj- ai që kur ecën, ecën ndryshe nga këta, ecën si burrë.

Tani Ramushin po e përdorin si “gëzof për dimrin”.

Ata që besojnë konspiracionin, mund të thonë pse Ramushi u arrestua në kulmin e të ftohtit të pa shoq që mbuloi Shqipëri e Kosovë. Në fakt  kjo ndodhi, por këta e përdorën si magji për të mbuluar të ftohin. Këta nuk kanë lënë asnjë lek në fondet shtetërore për fatkeqësitë natyrore mbi njeriun, i kanë “qëruar” të gjitha për luksin dhe xhepat e tyre. Kujdesi për njeriun është zero. Njerëzit në borë e në akull, o jetojnë, o vdesin- por për veten e tyre; sa për këta vdesin të gjithë. Në pesë ditë vdiqën tetë vetë, pa marrë në konsideratë se lajmet nuk kanë ardhur nga fshatrat e largët të izoluar nga dimri… Këta patën fat që u arrestua Ramushi. Ngritën podiume, hapën ekrane, morën makina e u nisën drejt Kosovës, shkruan letra, postuan në Facebook… “për të mbrojtur Ramushin”. Popullit i lanë të nënkuptuar se kjo është detyra më e lartë atdhetare. “Dimri?… Çfarë është dimri para burgut të Ramushit?!”. Këta ngritën valën e nacionalizmit për të mbuluar të keqen e tyre. Si të thuash e kthyen luftëtarin në një gëzof për të kaluar akullin.

Ramushi u kthye në “kalë gare”.

Në fjalorin politik këta përdorin definicionin “kalë lufte”. Por kësaj here u përdor si për garë. Fusha e garave u kthye në kaotike, siç është edhe vetë fusha e politikës. I dyti i doli para të parit, i pari të fundit…, e me radhë. Letra që shkroi Kuvendi i Shqipërisë u nënshkrua nga nënkryetarja e Kuvendit, kryetari “nuk ishte”. Kryeministri u nis për në kullën e Haradinajt në Kosovë, por rrugës mori vesh se ka para tij shkuar kryetari i Kuvendit, dhe u kthye. LSI, e dyta në koalicion i shkruan liderës së dytë në Beograd, në vend që kryeministri t’i shkruante të parit- “Sandrit”- mikut të tij Vuçiç… Të tjerat janë në radhë. Ramushi shërbeu që të përplasë kuajt, jo aq që të vërë në radhë kuajt e luftës për zgjedhjet që vijnë. Pas ndryshimit të klimës botërore me fitoren e presidentit Trump në Amerikë, këta janë kthyer në kuaj të verbër, nuk dinë ku përplasen.

Ramushi- si pagesë për vota.

Lekët janë mënjanë, sigurisht. Qeveria ka grumbulluar më shumë; sa nga droga sa nga vjedhjet. Por sivjet bollëku është marrë vesh nga populli, dhe populli ka rritur pazarin e votës. Ka ndryshuar edhe klima në Perëndim.  Ramushi iu doli para si aset plus. Këta po luftojnë kush lufton më shumë për Ramushin, jo se duan t’ia dinë për Haradinajn, por duhet për të mbledhur vota nga ata që mendojnë se vërtet këta po luftojnë për nacionalizëm. Po të ishim në prag të zgjedhjeve, Ramushi a do të përmendej apo nuk do të përmendej… Në fund të fundit “një malok” është për shumicën.

Ramushi si Franc Ferdinand…

Nëpër Ballkan po vërtitet kjo fantazmë e Luftës së Parë (Franc Ferdinad u vra në Sarajevë në 1914). Fillimisht u krahasua me vrasjen e ambasadorit rus në Turqi. Por u “shkri” shpejt. Tani, për Ramushin nuk po flitet kështu, por po veprohet. Kryeministri i Shqipërisë iu kishte thënë perëndimorëve se “një faktor i tretë” rrezikon në rajon. Ramushi doli në shteg. Me Ramushin këta hapin tre fronte lufte (ose mbrojtjeje për vete):  I pari, me Europën Perëndimore. Duke kërcënuar Francën deri edhe me “Anonymous” që mbulon fytyrën dhe sulmon si ISIS, deri në deklaratat e hapëta që i hedh “populli folklorik”. Kur të bëhet apeli pse nuk na pranon Europa, do të thonë: “Sepse mbrojtëm heroin tonë”… Fronti i dytë: Kryeministri, me dhelpëri, hapi një front të rrezikshëm. Ai shkroi në Facebook se Haradinaj po burgoset “për arsyen e Shtëpisë së Verdhë”. Shtëpia e Verdhë është një akuzë e një deputeti zviceran, Dick Marty, vite të shkuara, sikur në një shtëpi në Mat janë vrarë serb dhe janë shitur organe. Kjo është mbyllur si akuzë absurd. As Ramushit nuk i është komunikuar një akuzë e tillë.  Kryeministri shqiptar e zgjon nga hiçi dhe ia faturon Ramushit; por kështu e ngarkon ushtrinë e Kosovës si ushtri “terroriste”… Ose të paktën i thotë botës se këtu ka terrorizëm të shkallës së lartë dhe ka probleme, “iu kisha thënë”…

Fronti i tretë, loja me Vuçiç. Qeveria këtu ka kuptuar se ka një rindërtim boshtesh në rajon e përtej, ku përfshihet edhe Ballkani, dhe këtu “var” xhaketën e Ramushit: O e pranon Vuçiç- dhe këtu krijohet klimë “heroizmi”; o nuk e pranon dhe fillojnë negociata për miqësi me Vuçiç. Kryeministri i këtushëm  ka deklaruar se është gati edhe për Putin. Ndoshta mendon se i erdhi rasti…

… Ramushi do të dalë prej andej, sigurisht; por pse? Këta e përdorën…

/Veritas.com.al/

 

The post Ra Ramushi e u pamë! appeared first on Veritas.

Lajme – Veritas


Po kerkon te blesh apo shesesh shtepi? Kerkoni shtepi, dyqan me qera?
Kemi mijera zgjidhje, lini kontaktet dhe kerkesen tuaj dhe ne do tju kontaktojme brenda 24 oreve te ardhshme:


Ndihesh i lodhur dhe pa energji gjate dites? Konsumo produkte bio. Kliko Bioearth.al send

loading...



close