Rasti i çuditshëm i vrasjes së qenit në mesnatë


Mark Haddon te Diana CuliNga Diana Çuli

Botimet IDK sapo kanë hedhur në treg romanin Rasti i çuditshëm i vrasjes së qenit në mesnatë, (titulli original – The Curious Incident of the Dog in the Night-Time ) të Mark Haddon-it, romancier anglez, i lindur më 1963 dhe që u bë i njohur për lexuesit në mbarë botën pikërisht me këtë roman, të botuar më 2003, për të cilin do të flasim dhe në këtë shkrim. Ai u vlerësua menjëherë me çmimet prestigjioze Whibread Award, Guardian Prize dhe Commonwealth Writers Prize. Botimet e tij të mëparshme janë disa libra për fëmijë, të ilustruara nga ai vetë; më pas librat policorë të serisë Agjenti Z e më tej shumë skenarë për BBC-në si dhe drama Duke zbritur malin (Coming Down the Mountain), më 2007. Rasti i çuditshëm i vrasjes së qenit në mesnatë quhet vepra e tij më e mirë, e shkruar për të rritur. Ajo tërhoqi menjëherë vëmendjen e kritikës, për gërshetimin mjeshtëror të humorit, ndjeshmërisë dhe aventurës, me një narracion sfidues krejtësisht original. Heroi kryesor i rrëfimit, Kristoferi, vuan nga sindroma e Aspergerit, një lloj sindrome e autizmit e cila nuk e lejon të perceptojë qartë dhe të interpretojë emocionet e njerëzve të tjerë. Nga ana tjetër, ai ka një mendje jashtëzakonisht logjike, i mungon pasioni dhe nuk është i aftë të krijojë afërsi me njerëzit e tjerë, ndjenjat e të cilëve ai nuk i kupton dot.  Kjo e bën Kristoferin, i cili e rrëfen vetë historinë, një rrëfyes shumë të besueshëm, sepse ai është i pazoti të gënjejë, por edhe të  pabesueshëm, sepse ai nuk i vlerëson dot plotësisht motivet që i shtyjnë njerëzit të kryejnë disa veprime të caktuara. Për ta bërë personazhin e tij edhe më  interesant, Haddon-i i jep atij edhe cilësi të tjera, si tmerri që ai ka po ta prekin, urrejtja kundër ngjyrës së verdhë dhe ndonjë herë një zemërim i pakontrollueshëm.  Nga ana tjetër, atij i pëlqen të zgjidhë rebuse, shkëlqen në matematikë dhe ka një kujtesë fotografike. Adhuron Sherlock Holmsin dhe, në një ngjarje të pazakontë për të – gjen të vrarë me cfurk qenin e fqinjës – kërkon të zgjidhë misterin e vrasjes. Në këtë çast fillojnë aventurat e tij, që zhvillohen në rrugën ku ka shtëpinë, brenda në shtëpi dhe në trenin që merr për në Londër. Por, në një hapësirë kaq të ngushtë veprimi, Haddon-i, me këtë personazh të veçantë që ka krijuar, krijon edhe një botë të madhe, të mbushur me ngjarje, me të fshehta që zbulohen dalëngadalë e që janë të papritura për vetë Kristoferin. Autori shkruan për këtë jetë, në dukje të zakonshme, me kaq forcë e ngjyrshmëri, sa ajo të josh e të rrëmben pa fund. Jeta e Kristoferit duket e kufizuar, por, në një çast të kësaj jete ndodh një vrasje e mistershme – gjë që i pëlqen gjithnjë lexuesit – dhe në atë çast, për lexuesin, fillon të shpërfaqet një fantazi e tillë – por aq e kapshme dhe në dukje reale – sa ai nuk e lëshon librin nga dora. Shumë gjëra që ndeshim në libër, u ndodhin fëmijëve dhe adoleshentëve. Por, shpesh edhe fëminia është e mbushur me trishtim, i cili çastin tjetër, ose ditën tjetër, mund të kalojë. Ka gjithnjë një mundësi për të shpëtuar. Këtë bën edhe Kristoferi, me mënyrën e tij. Kapitujt që alternohen midis hetimeve që ndërmerr Kristoferi dhe atyre ku ai zgjidh probleme matematike, shërbejnë për të treguar se si i funksionon mendja dhe si kërkon ta zgjidhë misterin. Por, teksa shtyhet më tej, ai zbulon të vërteta të hidhura e të tmerrshme, që lidhen me prindërit dhe me fqinjët e tij.

Kritika e ka çmuar mjaft zërin e pa-apasionuar të Kristoferit, sepse ai e « detyron » autorin t’i bindet maksimës së vjetër letrare që thotë se autorët « duhet të tregojnë, po jo të rrëfejnë », gjë që ndodh në këtë histori. Ajo që vënë re shumë kritikë, është se, megjithëse Kristoferi vuan nga autizmi, Haddon-i nuk e bën sëmundjen aspak temën qendrore të librit. Në të vërtetë, fjala « autizëm » nuk përmendet as edhe një herë. Romani mund të shihet si një shembull i « procesit të të shkruarit vetë ». Pikëvështrimi i romanit lejon interpretime të ndryshme nga ana e lexuesit dhe vetë autori thotë në një intervistë se shumë njerëz reaguan në mënyrë të dëshpëruar ndaj romanit, i cili ata thoshnin, i bënte për të qarë, por të tjerë mendonin se ishte shumë i gëzueshëm dhe se kishte një happy end.  Ndoshta, shprehet kritika, kjo ndodh sepse autori nuk e shtyn lexuesin të mendojë në një mënyrë apo në një tjetër.

Edhe njëherë, letërsia e madhe engleze na habit dhe na provon se ajo është ngritur në themele të forta, që prodhojnë paprerë zëra origjinalë e të mrekullueshëm.

Do të shtoja se ky libër, i ndërlikuar nga pikëpamja e tekstit, ka disa regjistra narrativë, si nënshtresa e thellë psikologjike, bota matematikore e shprehur përmes formulave dhe interpretimeve shkencore, të ndërthurura me gjendjen shpirtërore të personazhit, humori i pashprehur e i përmbajtur englez, etj., është sjellë në shqip me një inteligjencë të madhe e talent të  padiskutueshëm nga përkthyesja tashmë shumë e njohur Ines Ikonomi, e cila ka shqipëruar me mjeshtëri vepra të shumë autorëve të shquar botërorë.

Mapo Libri & Ide – Gazeta Mapo


Po kerkon te blesh apo shesesh shtepi? Kerkoni shtepi, dyqan me qera?
Kemi mijera zgjidhje, lini kontaktet dhe kerkesen tuaj dhe ne do tju kontaktojme brenda 24 oreve te ardhshme:

Please leave this field empty.


Ndihesh i lodhur dhe pa energji gjate dites? Konsumo produkte bio. Kliko Bioearth.al send




close