Rrëfehet berberi i LSI-së: Pse e qetha Zaloshnjën me stil traumatik


14212617_10209087404854045_1464331661898574541_n (1)

Në foto: Zaloshnja dhe grafiku ilustrues i shpjegimeve të berberit

E nderuar redaksi e Hashtag-Albania!

Unë jam një berber nga Kakruka e Skraparit dhe njëkohësisht kryetari i LSI-së për Kakrukën.

Po ju drejtohem juve për të thënë një të vërtetë  që ka lidhje me foton që e publikoi faqja e Anila Bashës Newsbomb bau bau bau.

Mirëpo ajo Anila nuk e qeth hiç kur e telefonon robi në fundjavë dhe unë vendosa t’u shkruaj juve.

 Unë kam Ajfon. Partia na dhuroi vjet nga një ajfon gjithë kryetarëve nëpër fshatra që për çdo problem që kemi të kontaktojmë me njërin në Tiranë që na përgjigjet gjithmonë në telefon: “Hë o?”.

Kur u bëra me ajfon unë, më ngjau sikur u bëra me horizont; dhe mësova të lexoj më shpejtë ngaqë ndjek lajmet e internetit.

Sot pashë foton e Eduart Zaloshnjës dhe vendosa ta them si është puna me qethjen e tij traumatike.

Zaloshnja është fshat  këtu tek ne. Dhe Eduarti po shkonte në fshatin e të parëve se kishte sebep.

Ndaloi në Kakruk se donte të qethej që të dukej bukur dhe hyri te dyqani im.

Unë në fillim nuk e njoha, dhe kur u ul e pyeta ça pune bën. Më tha një fjalë që është e ngatërrushme për njeriun. Nuk e kuptova dot, po që më ngjasonte me fjalën stacion.  

Mendova mos punonte tek stacioni i TAP-it në Potom.

Por ai më sqaroi se stacionin i tij bënte vetëm parashikime.

E pyeta me vrap mos parashikonte dhe ndeshje të sigurta, po ai u zgërdhi dhe më tha që parashikonte vetëm për gjëra politike.

Këtu unë u përqëndrova jashtmase, e hoqa ajfonin mënjanë dhe nisa ta qeth me avash.

Nisa në fillim me krëhër balluket dhe e pyeta si del Edi Rama.

Ai më tha se Edi Rama do ketë rritje me 6 përqind dhe do e kishte më të dëndur elektoratin dhe unë vetvetiu ja lashë të dëndura pjesën e ballukeve dhe të flokut mbi saç.

Bëra sikur nuk u çudita për Edi Ramën dhe e pyeta si dilte LSI-ja në Skrapar.

Ky më tha mua që LSI-ja do tretej me 4 përqind më pak.

Më ra gërshëra nga dora po se dhashë veten. Kapa makinën e rrojes dhe e gradova në zero.

Vargu i flokut të Zaloshnjes më dukej si elektorati jonë dhe i hyra dorsh me makinë duke e graduar 4 gradë më pak dhe e çova zero.

Doja të kuptoja se ça ndodhte kur tretesh me 4 më pak dhe i hyra mirë e mirë me makinë.

Në një moment ai e kuptoi dhe më tha: Ça bën or çun?

I thashë që të kishte besim tek unë se këtu ishte në stacionin tim.

Në një moment ai mbylli sytë dhe më tha se dhe PD-ja do tretej me 2 përqind. Instiktivisht e gradova makinën nga zero tek dyshi dhe i hyra gjer tek shpatullat mirë e mirë.

Pasi mbarova punë ula me lezet siguresën dhe bëra sikur ikën dritat. Ai u çua më la lekët dhe shkoi.

Për ta sqaruar mbarë opinion popullor e tregova këtë gjë, që njerëzit ta dinë se rezultatin e qethjes Zaloshnja e ka në përputhje me rezultatet e parashikimeve politike që i bën vet.

Bujrum kur të doni në Kakruk për një gotë. Njatjeta.

 

*E-mail i mbërritur në redaksi nga adresa: kakruk@lsi.al

Inbox – hashtagAL


Po kerkon te blesh apo shesesh shtepi? Kerkoni shtepi, dyqan me qera?
Kemi mijera zgjidhje, lini kontaktet dhe kerkesen tuaj dhe ne do tju kontaktojme brenda 24 oreve te ardhshme:

Please leave this field empty.


Ndihesh i lodhur dhe pa energji gjate dites? Konsumo produkte bio. Kliko Bioearth.al send




close