Kardiokirurgu shqiptar, pjesë e misioneve jetëshpëtuese në Afrikë


loading...

eritrea-4

Mjeku Altin Veshti në Eritrea

Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Denisa Canameti

Mjekut shqiptar kardiokirurg Altin Veshti nuk i pushon telefoni. Në zyrën e tij në QSUT, teksa qëndrojmë në pritje për t’i marrë një intervistë, “radhën” na e zë (përmes telefonit) televizioni italian RAI, i cili e ka përzgjedhur për ta përfshirë në programet e veta si një jetëshpëtues. Dhe entuziazmi i mjekut është i qartë.

Në fakt, kardiokirurgu shqiptar Altin Veshti (i diplomuar në Universitetin e Padovas, Itali) është pjesë e ekipeve ndërkombëtare të kardiokirurgëve të cilët janë organizuar në misione vullnetare për të realizuar operacione për fëmijët me probleme kardiake, në Eritrea (shtet në verilindje të Afrikës).

Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, mjeku tregon se si u bë pjesë e këtij misioni, numrin e operacioneve që kryhen, kushtet në të cilat kryhen, shkallën e rrezikshmërisë, si dhe bën një qasje krahasimore me Shqipërinë.

Doktor Veshti, ju sapo jeni kthyer nga një mision jetëshpëtues bamirës në Eritra të Afrikës. Si jeni bërë pjesë e këtij projekti? Ku konsiston ky projekt, si dhe kush e drejton/organizon?

Unë jam thirrur nga grupi i Padovas. Kërkesa ndaj meje është bërë edhe pas nënshkrimit të një memorandumi midis rektorit aktual të Universitetit të Padovas dhe rektorit të Universitetit Mjekësor të Tiranës, profesor Arben Gjatës, si dhe dy shefave të departamenteve profesor Babocit dhe shefit të Departametit të Shkencave Kardiovaksulare të Universitetit të Padovas.

Ku konsiston? Ky është një grup ndërkombëtar evropian. Bëjnë pjesë disa qendra kirurgjie që janë mbledhur dhe kanë marrë përsipër që të organizojnë operacione në një vend si ish-kolonia e Italisë, Eritrea. Është një nga vendet më të varfra. Janë mjek që vijnë nga Kanadaja, nga Franca, nga Italia. Bëhet një grup i madh mjekësh anestezistësh, intensivistësh, kirurgësh. Shkohet për të operuar pacientë, kryesisht fëmijë me defekte të lindura, dhe valvula.

Operohen kryesisht fëmijët me defekte në zemër. Është një grup nga Gjermania, profesor Andreas Urban që ka qenë shef në një nga spitalet më të mëdha për kardiopatitë e lindura në Gjermani. Ai bashkë me disa kardiokirugë të tjerë italianë, organizojnë herë pas here misione në Eritre, duke bërë që të operohen shumë fëmijë, duke ndihmuar sa të kenë mundësi. Për herë të parë më është bërë edhe mua një ftesë zyrtare, pasi jam edhe anëtar i Shoqatës Evropiane të Kardiokirurgjisë Pediatrike.

Është hera e parë që ne jo vetëm që erdhëm, u kthyem, kontribuam maksimalisht për të rritur cilësinë e ndërhyrjeve dhe cilësinë e operacioneve dhe jetën e pacientëve që operojmë, duke sjellë shumë risi nga Evropa, por tani po invertohet fluksi dhe na kërkohet që të shkojmë për misione në vende edhe më të varfra se Shqipëria.

Cili është roli i mjekëve që shkojnë? Si koordinohet puna?

Unë shkoj si mjek ekspert. Atje duhen mjekë ekspertë të shpejtë, që njohin patologjitë dhe operojnë bashkë me një kirurg tjetër duke bërë herë asistentin dhe herë kirurgun primar, duke i ndarë dhe rastet sipas vështirësisë. Atje kam bërë edhe roje në reanimacion, duke parë fëmijët postoperator, gjë që nuk e bëj në Shqipëri sepse e bëjnë vetë anestezistët në mënyrë të shkëlqyer (edhe pse jam trajnuar për të bërë edhe reanimacion).

Megjithatë, dua të theksoj që unë nuk kam shkuar si mjek në kuadër të Italisë, por kam shkuar si mjek shqiptar në një mision ndërkombëtar dhe  them që vij nga Shqipëria për të ndihmuar.

eritrea-3

Grupi i mjekëve vullnetarë në Eritrea (mjeku Altin Veshti, i katërti duke numëruar nga e djathta)

Sa është numri i fëmijëve që keni operuar/shpëtuar?

Kemi bërë 24 operacione për 8 ditë. Kemi arritur dhe 6 operacione në një ditë, patologji të lehta. Ka qenë diçka shumë e mirë, sepse m’u kujtua dhe një herë koha kur kam qenë në specializim, shumë gjëra, por nga një pikëpamje tjetër, si mjek i formuar, dhe jo më si mjek specializant. Mendoj që sado që ne kontribuojmë në Shqipëri për të bërë më të mirën për këta fëmijë që kanë defekte të lindura, është për t’u krenuar që tani na ftojnë për të shkuar në misione, për të kontribuar edhe në vende të tjera më të varfra. Shkojmë vullnetarisht.

Si paraqitet gjendja shëndetësore e fëmijëve atje?

Fëmijët atje janë si fëmijët këtu para disa vitesh. Që do të thotë që shikoj shumë patologji që duhet të ishin operuar që fëmijë të vegjël, por që vijnë me shumë vonesë. Në Shqipëri shohim shumë pak nga këto, sepse diagnoza është rritur, bëhen shumë më shpejt defektet. Kjo është për të falënderuar edhe kardiologët që gjithmonë e më shpejt, që në lindje apo që gjatë shtatzënisë arrijnë t’i diagnostikojnë këto raste. Ne po përpiqemi çdo herë e më shumë që të rrisim nivelet dhe t’u afrohemi niveleve evropiane të diagnostikimit.

eritrea-1

Mjeku Altin Veshti me fëmijët dhe stafin mjekësor në Eritrea, Afrikë

Kush i financon këto operacione? Kush i ka ngritur sallat operative dhe si dhe kush i plotëson nevojat materiale për në sallë?

Sallat janë bërë nga grupi gjerman, profesor Andreas Urban. Kurse pjesa materiale janë firmat farmaceutike botërore që dhurojnë pa hezitim materiale për të kryer kardiokirurgjinë bamirëse në këto vende.

Do të ktheheni sërish?

Do të rikthehem vitin tjetër, sepse ka qenë një përvojë shumë e bukur. Besoj se rivlen të rikthehem jo vetëm për faktin që bëjmë një bamirësi apo ndihmojmë fëmijët e atij vendi, por edhe për shkëmbim përvojash, pikëpamjesh, idesh.

A ka sistem shëndetësor në Eritrea?

Jo. Atje është një ndër sistemet shëndetësore më të degraduara që mund të ekzistojë. Për faktin se nuk ekziston një mbulim shëndetësor i gjithë popullsisë. Ka një minisistem shëndetësor kryeqyteti Asemara, kurse pjesa tjetër e periferisë kanë pak ose aspak. Niveli i vdekshmërisë është shumë i lartë. Është një nga vendet me nivelin më të lartë të vdekshmërisë edhe foshnjore edhe adulte, jo vetëm nga sëmundjet e zemrës, por edhe nga sëmundjet infektive.

eritrea-2

Eritrea, ish-koloni e Italisë

Do të përqendroheni edhe në vende të tjera?

Ekzistojnë dy mundësi: Njëra është ndërhyrje kirurgjikale në Jeruzalem, por në pjesën arabe, dhe një pjesë tjetër është në Gaza. Këto janë aktualisht dy ofertat që kam për të vlerësuar.

Risku i të shërbyerit në këto vende?

Eritrea, Gaza, të gjitha kanë risk. Risku është se nuk ka një stabilitet politik, janë vende që kanë qenë në luftë. Janë vende që vazhdojnë të jenë në luftë. Është një risk që çdo njeri e merr personalisht përsipër. Por, kur mbaron gjithçka mirë, mendon vetëm pjesën e bukur.

***********

Kardiokirurgjia në Shqipëri: Pacientët kanë po fillojnë të besojnë tek mjekët në QSUT

Aktualisht në Shqipëri është rritur cilësia, zvogëluar koha e operacionit, ulur trauma dhe shumë e shumë gjëra të tjera. Ne jemi në gjendje të mbulojmë rreth 90% të patologjive të lindura. Për faktin se në Shqipëri ende nuk realizohet kateterizimi kardiak i fëmijëve. Është një fushë specifike që aktualisht nuk e bëjmë rutinë, siç është bërë rutinë kateterizimi i të rriturve.

Më parë nuk ka pasur besim tek kardiokirurgjia e QSUT-së. Nuk kishte radhë pritjeje, njerëzit iknin në Turqi si rruga më e thjeshtë. Sot ka një radhë pritje shumë të madhe, si për të operuar pacientët e rritur, si për të operuar pacentët e vegjël. Që do të thotë se është kthyer besimi te kardiokirurgjia e QSUT-së, jo vetëm për faktin e investimeve, por për faktin që është ulur mortaliteti, është ulur morbiliteti, është rritur diagnoza dhe është rritur suksesi i operacioneve.

Diagnozat më të vështira janë ato që bëhen të fëmijët neonat (të porsalindur) dhe janë diagnoza ku pacientët lindin me gjysmën e zemrës, janë diagnoza që shpeshherë nuk bëhen vetëm me eko. Kardiokirurgjia që bëhet në Shqipëri, adult dhe pediatrike, mendoj se është një nga më të lartat në Ballkan. Nuk ka operacion, përveç transplanteve të zemrës dhe zemrës artificiale, që ne nuk e realizojmë në dy sallat tona të QSUT-së.

Aktualisht bëjmë rreth 750 operacione total në vit. Kemi një mortalitet rreth 2%, që është shumë i ulët në raport me kushtet që kemi, duke u përplasur me infeksione, me patologji të rënda, me të sëmurë që nuk kanë ndjekur një rrregullsi gjatë jetës së tyre, por vijnë për herë të parë vetëm kur kanë aortën e çarë apo kur kanë infarktin.

Nëse pacientët tanë do ta njihnin Eritrean, do të ishin më të kujdesshëm ndaj shëndetit?

Pacientët tanë po të shikonin Eritrean, gjendjen në të cilën ndodhet Eritrea dhe shendetësinë që bëhet atje gjëja e parë që do bënin, do të kujdeseshin më shumë për shëndetin dhe do të ishin ndoshta më shumë tolerantë.

Më shumë tolerant ndaj gabimeve?

Nuk dua të them gabime. A ka mjekësi më perfekte se Amerika? Atëherë gabimet mjekësore në Amerikë janë shkaku i dytë i vdekjes. Nuk ka gabime që mjeku do ta bëjë se s’bën. Kur mjeku nuk ndërhyn dhe e lë pacientin për të vdekur, aty është gabim seriozisht penal. Por kur mjeku bën një operacion dhe pacienti vdes, të dini që nuk ka mjek që nuk lufton për jetën e pacientit deri në momentin e fundit. Nuk besoj se ka mjekë që i bëjnë gjërat gabim me qëllim. Çdo njeri bën aq sa di dhe sigurisht që Shqipëria, nëse do ta shikojmë pozitivisht, ka bërë hapa përpara.

Ndërkohë, media ka interes për të bërë lajmin dhe lajmi negativ bëhet gjithmonë lajm. Çdo mjek mund të ketë shëruar me qindra pacientë dhe, nëse pacienti i fundit i vdes, media me atë lajm që bën, ia fshin të gjithë atë anë pozitive. Mjeku tenton për ta shëruar. Dhe kudo si në Evropë, si në Amerikë jo gjithmonë ia del dhe kjo nuk është për fajin e mjekut.

Portret – GAZETA SHËNDETI


Po kerkon te blesh apo shesesh shtepi? Kerkoni shtepi, dyqan me qera?
Kemi mijera zgjidhje, lini kontaktet dhe kerkesen tuaj dhe ne do tju kontaktojme brenda 24 oreve te ardhshme:


Ndihesh i lodhur dhe pa energji gjate dites? Konsumo produkte bio. Kliko Bioearth.al send

loading...



close