Dr. Shahin Kadare: Ja si t’i justifikojë ministri i Shëndetësisë mungesat në spitale


Bisedoi: Denisa Canameti

Doktor Shahin Kadare nuk është penduar kurrë që u bë pjesë e shëndetësisë. Sidomos kur bëhet fjalë për onkologjikun. Sot, në një moshë në të cilën ka një gjysmë shekulli në mjekësi, ai mund të bëjë një vlerësim të qartë dhe të paanshëm të kësaj fushe. Ndër to, doktori nuk ngurron të japë edhe disa këshilla-sugjerime për drejtuesit e sotëm të shëndetësisë që nuk e njohin aspak këtë fushë e që, për më tepër, as nuk mbështeten tek njohësit e saj. Teksa flet për gazetën “Shëndet+” (shendeti.com.al), doktor Kadare, në njëfarë mënyre, i jep edhe mundësi ministrit të Shëndetësisë, të punojë në një mënyrë të tillë që të mund të dalë “i pafajshëm” për gjithë mungesat në spitale.

shahin kadareDoktor, prej sa vitesh jeni pjesë e mjekësisë, ku e keni nisur punën dhe a ishte mjekësia alternativë e preferuar?

Unë e kam nisur punën në onkologji. Që kur mbarova Fakultetin në 1965-n, u emërova në onkologji, në shërbimin e anatomisë patologjike, i cili në atë kohë nuk ishte hapur ende. Ishte vetëm ndërtesa që po ndërtohej, ndërkohë po projektohej struktura, shërbimet e ndryshme, njerëzit që do të punonin. Pasi mbarova një specializim këtu brenda vendit, pata fatin që të shkoja për specializim në Rumani, gjë që në atë kohë ishte e rrallë, sepse njerëzit nuk dilnin jashtë shtetit kollaj për kualifikim. Kur u ktheva, fillova punën njëkohësisht në Fakultetin e Mjekësisë dhe në onkologjik . Duke qenë se barra u bë e rëndë për të dyja, preferova që të punoj kryesisht në onkologji.

Retrospektivë për vitet e punës

Mjekësia në atë kohë ishte një privilegj i madh, por nuk mund të them që e kam marrë me dëshirën time. Nuk ishte kohë që dëshirat merreshin parasysh. Mora vesh që isha futur në Fakultetin e Mjekësisë kur u publikuan listat emërore për të gjithë Shqipërinë në të gjitha degët. Ishte një gëzim shumë i madh për mua, e papritur, se përgjithësisht futeshin njerëz që kishin përkrahje të ndryshme, gjë që nuk e kisha, me thënë të drejtën.

Por nuk jam penduar kurrë për mjekësinë. Jam lodhur herë pas here se në tërë këto vite që kam punuar unë (u bë gati gjysmë shekulli), kanë ndërruar shumë gjëra. Kemi hasur vështirësi nga më të ndryshmet, jemi përballur me lloj-lloj strukturash shtetërore. Nuk di të them se cila ka qenë periudha më e vështirë. Di të them që më e vështira dhe më e bukura për mua, ka qenë kur onkologjia u nda më vete dhe u bë Instituti Onkologjik. Kishte në varësinë e saj shkencore dhe organizative  të gjithë shërbimin onkologjik të Republikës. Në atë kohë u caktova nëndrejtor i Institutit, kurse drejtoreshë u emërua Adelina Mazreku. Ishte një kolege shumë e aftë me të cilën kam bashkëpunuar shumë ngushtë. Jemi përpjekur që të punonim sa më mirë.

Ndarja e Institutit të Onkologjisë ishte një hap i madh përpara. U ngritën gjithashtu në 13 rrethe të vendit  qendra të vogla onkologjike që do të merreshin me depistimin, me regjistrimin e rasteve të kancerit. Filloi paralelisht me punën kurative të Institutit onkologjik dhe një punë organizative dhe kërkimore shkencore të përpunimit të statistikave të rasteve, të mënyrave të trajtimit etj.

Laborator tumor shkencetarSa mbështeteshit për të bërë punë kërkimore shkencore?

Në regjimin e mëparshëm mjekët qaheshin shumë. Kanë arsye për t’u qarë, se ishte një regjim që të bllokonte në shumë anë, por ama ata që kishin vullnetin e vërtetë për t’u marrë me punë shkencore, nuk u vinte njeri barrierë. Mjekët e asaj periudhe që ishin vërtet të zotë, janë përkrahur nga shteti, janë mbështur në personalitetin e tyre profesional dhe personal që ta bënin punën sa më mirë. Prandaj figura të shquara të mjekësisë shqiptare, si Besim Elezi, profesor Paparisto, profesor Llambi Ziqishti, Petrit Gaçe, Ylli Popa e shumë të tjerë kanë qenë figura të shquara. Këta edhe janë mbështetur, kanë ecur përpara, por kanë pasur pasionin e madh dhe vullnetin e hekurt për të bërë gjëra të mira .

Ne patëm në atë kohë shërbime mjaft të kualifikuara. Të drejtuar nga mjekë shumë të aftë që për kushtet që kishte Shqipëria atëherë në infrastrukturën spitalore, në mundësitë që kishte, pajisjet e sallave, them që të sëmurët kanë marrë maksimumin e mundshëm të cilësisë së shërbimit.

Nëse do të bëj një paralelizëm në mjekësi: ka ndodhur, siç ka ndodhur dhe në art. Për shembull, mund të qahen artistët, por kompozitorët më të shquar që në kemi, shkrimtarët më të shquar i përkasin asaj kohe. Ne kemi 25 vjet që kemi hyrë në një tjetër periudhë dhe nuk kemi akoma një kompozitor, kam parasysh një kompozitor të muzikës klasike.

Me këtë dua të them që nuk jemi penguar. Po të kishe vullnet, mund të frenohej pak, por nuk mund të qahet që do të isha tjetër nëse do të kisha jetuar në një tjetër kohë.

Sa e njihnin njerëzit shërbimin e onkologjisë?

Kanë ndryshuar shumë gjëra, sepse shkenca ka ecur me ritme të papara. Për shembull, shkencat molekulare të biologjisë molekulare, të gjenetikës etj. ishin në fillimet e tyre. Sot ata kanë ecur kaq shumë përpara, sa as që mund të bëhet krahasim me të kaluarën. Kur them që mjekësia në atë kohë siguronte një shërbim të mirë, kam parasysh kushtet e asaj kohe dhe krahasuar me atë që bëhej rrotull nesh në vendet e rajonit.

E dinin njerëzit fjalën kancer? Sa zbatoheshin protokollet e trajtimit?

Sigurisht. Jo vetëm e njihnin se ç’ishte kanceri, por aplikoheshin protokollet e kohës, pavarësisht mungesave dhe kufizimet ekonomike financiare që kishte shteti. Mungonte ilaçi dhe protokolli nuk zbatohej, por ishte për mungesë të medikamenteve, jo për mungesë të dijes së mjekut që ishte aty.

fakulteti i mjekiseSi është niveli akademik pas viteve ‘90?

Pas viteve ‘90 për fat të keq, ajo që duhet të ndryshonte për mirë në shkolla, ndryshoi për keq. Niveli i mësimdhënies ra shumë, interesi i studentëve ra shumë. Kjo për shkak të mosinteresimit serioz nga ana e shtetit dhe politikës që të kujdeset për këto gjëra. Hapja e universiteteve private pa asnjë kriter ishte një gabim shumë i madh, sepse përgatiti një sërë kuadrosh me përgatitje të përgjysmë nga ana akademike, të cilët pasi kanë marrë diplomat, specializimet dhe titujt, kur dalin në punë forcohen në atë pazotësinë e tyre dhe nuk ke çfarë t’u thuash.

A po i ndjejmë pasojat e kësaj neglizhence sot?

Patjetër që po. Sot ka një mediokritet masiv në radhët e profesionistëve shqiptarë. Siç ka në çdo fushë, sepse nuk mund të krahasohet (në gjykimin tim) niveli i shkollës që kemi bërë ne, me nivelin e shkollës që bëhet tani.

Doktor, duket se mjekët sot janë më aktivë, janë më kërkues ndaj të drejtave të tyre, sjell këtu në vëmendje rastin e provimit që pati një protestë masive nga ana e bluzave të bardha. Por nëse situta është kjo që thoni, ju a gjykoni provimin e mjekëve si një mënyrë e mirë për të filtruar mediokrit prej profesionistëve të vërtetë në fushën e mjekësisë?

Ka një problem. Nëse mjeku ka marrë diplomën, nëse është në rregull me licencën, me specializimet, pse duhet ta bëjë provimin? A lidhet me faktin se disa nuk i kanë bërë gjërat në rregull? Atëherë këtë rregull duhet ta vënë strukturat shtetërore. A kemi të drejtë ne që i hymë me themel sistemit të drejtësisë? Sigurisht që kemi, se nuk është në rregull. Se po të ishte në rregull, nuk do të kishim nevojë për një reformë që do të përmbysë një sistem të tërë. Por meqë jemi të ndërgjegjshëm që është një sistem që realisht duhet përmbysur, nuk shikoj gjë të keqe nga testimi cilësor i mjekëve. Madje, ajo që ne e quajmë edukim i vazhdueshëm, titujt që marrin mjekët, a nuk janë njëfarë testimi shkencor? Fakti që kërkohet të botosh herë pas here një numër artikujsh shkencorë, nëkupton që je në provim shkencor. Nëse je i aftë dhe boton artikuj në revista ndërkombëtare, atëherë ti je i aftë dhe ky është një testim. Nëse të kërkohet që të mbrosh titujt, a nuk është një testim?

Kemi rastin e italianit që kishte marrë diplomë te ne pa shkelur në Shqipëri. Për këtë u dënua një sekretare. Po ato lëndët që kishte marrë, kush i kishte firmosur? Po regjistrimin kush e kishte bërë? Nuk mund t’i bëjë sekretarja të gjitha këto.

mjekja doktoreshaDoktor, krahas këtij “liberalizimi”, sot ka më shumë mjekë të trembur. Duket sikur ka një lëkundje të autoritetit të mjekut në të gjitha nivelet…

Në fakt po. Sot një student nëse do, të përshëndet, nëse nuk do, nuk të përshëndet. Për ne, ishte ndryshe. Kur kalonte profesori, merrnim qëndrim që të dukeshim sa më mirë. Ishte një gjë që na ishte imponuar vetvetishëm. Ka rënë respekti në të gjitha nivelet. Ka rënë respekti për politikanin, për mësuesin, për mjekun. Por faji është i dyanshëm. Mjeku është i trembur se është edhe i pambrojtur. Nëse ne dëgjojmë në lajme, njerëzit bëjnë skandale në spital duke goditur mjekët. Dhe pasi ndodh kjo, nuk bëjmë një gjykim racional që të shohim se ku fillon faji i mjekut.

Këtu gazetarët kanë shumë gabime. Sepse janë të parët që duan të japin lajmin sikur janë në garë. Bëjnë lajme që informojnë gabim. Për shembull, shkon njëri në urgjencë dhe vdes, ose vdes në sallë. Njeriu mund të vdesë dhe në kafene, nuk mban përgjegjësi as banakieri, as kamarireri. Pra duhet parë, a ka lidhje vdekja e tij me ndonjë gabim, me ndonjë keqtrajtim? Së dyti, në mjekësi, si kudo, edhe gabimet janë të mundshme. Por, cili është gabimi që duhet konsideruar faj për mjekun?

Së pari, kryesorja është kur ai ka neglizhuar mundësitë që ka dhe nuk i ka vënë në shërbim të të sëmurit. Por nëse unë me dijet që kam, përpiqem te koka e të sëmurit dhe vras mendjen të gjej, të diagnostikoj, i bëj gjithçka duhet, s’më dalin gjërat, atëherë duhet të di: ajo që nuk diagnostikova dot a është në kufijtë e të pranueshmes. Për shembull kur themi që diagnoza e saktë për këtë sëmundje, në 90% të rasteve diagnostikohet saktë, domethënë që në 10% të rasteve nuk dihet dot. Atëherë ky rast që ne jemi duke trajtuar, a futet te ky 10%?

Pra duhet një gjykim racional nga një ekip mjekoligjor shumë i përgatitur, të cilin e kemi dhe nuk e kemi. Kam dyshime sepse gjykoj që edhe kualifikimi i tyre është i pamjaftueshëm. Mjekësia ligjore është një gjë shumë e rëndësishme për të gjykuar cilësinë e shërbimit mjekësor që i bëhet një të sëmuri. Gazetarët nuk duhet të rendin pas lajmit. Thonë mediat, bëri kaq kohë ambulanca të vejë. Po këtu çfarëdo që të bëjë ambulanca, nga trafiku dhe rrugët nuk mund të arrijë më shpejt.

Pra, analiza duhet të jetë shumë racionale, shumë e ekuilibruar, shumë e kujdesshme. Këtu mjekët mbeten të pambrojtur.

Më bëri përshtypje pasqyrimi i një konflikti në një spital privat ku dikush e nxirrte me emër, një media tjetër nuk e nxirrte emrin. Kjo është një gjë e turpshme. Ç’domethënë që të mos i vësh emrin? A ka ndodhur ngjarja? Ti ruaje imazhin duke dhënë argument për atë që ndodhi, se nuk ke faj që njëri u ngrit dhe bëri një veprim të tillë. Duke mbrojtur atë spital dhe duke thënë “në një spital në Laprakë”, njollos dhe nja 3-4 spitale që janë në Laprakë. Më bëri përshtypje presioni. Si ta nxirrnin lajmet? U dogjën në fushë këta njerëz?

Ç’mendim keni për spitalet private?

Nga pikëpamja e infrastrukturës, shtrati, dhoma, ka një diferencë të dukshme, nga pikëpamja e pajisjeve sërish ka një diferencë, që është jo shumë të madhe. Nga pikëpamja e kualifikimit të personave që punojnë atje, kam shumë rezerva. Kjo për faktin se një pjesë e madhe e mjekëve që punojnë në këto spitale, janë mjekë të spitalit civil të cilët nuk janë më të mirët e pavionit në spitalin civil ku punojnë. Mund të jenë të tretët, të katërt ose të pestët, po spitali privat nuk ka mjekë dhe i merr. Unë di që atje punojnë stazhierë. Di mjekë që janë numri 5 në spital shtetëror, shkojnë në privat dhe janë numri 1.

Vihet re një mungesë e jashtëzakonshme në shërbimin e onkologjisë: është mungesë vëmendje nga ana e shtetit apo vërtet kjo sëmundje është shumë e shtrenjtë?

Le të jemi realistë: mungesa do të ketë gjithmonë. Kjo për faktin se është fushë ku zhvillimet janë kaq të shpejta, sa është e pamundur që të përballohen këto të reja, sidomos në vende si yni, me mundësi ekonomike të kufizuara. Mungesa ka. Di që vijnë më shumë medikamente se më parë. Aq sa duhen, nuk kanë për të ardhur kurrë, as te ne dhe në asnjë shtet. Të gjitha këto medikamentet e reja që dalin në onkologji, janë ato medikamente që i takon asaj që quhet terapi e drejtuar, terapi e personalizuar. Zbulimi dhe puna që duhet për të gjetur medikamente të reja, është shumë e gjatë, shumë e vështirë, kërkon një angazhim kolosal në njerëz, në mjete, në eksperimente. Natyrisht që kompanitë farmaceutike duan që këto harxhime që janë bërë, edhe t’i nxjerrin. Për këtë arsye ka disa rregulla: për njëfarë periudhe kohe këto kompani mbajnë patentën për këto ilaçe. Synimi i OBSH-së është që të kalojë sa më shumë medikamente nga medikamente patente në medikamente generike. Por këtu ka një konflikt interesi midis kompanive farmaceutike që duan ta mbajnë patentën sa më gjatë, që të nxjerrin paratë e harxhuara për studimet e kryera. Është një ekuilibër delikat që duhet vënë nga profesionistë që njohin mirë edhe harxhimet, edhe nevojat. Budallallëku fillon te ne, kur ne fillojmë t’i politizojmë gjërat.

Nëse do të ketë gjithmonë mungesa, do të thotë që asnjëherë nuk do të zbatohen korrekt protokollet e trajtimit…

Me ilaçet gjenerike do të zbatohen. Këtu e rëndësishme është përcaktimi i mirë i proriteteve të protokollit. Nëse ti si shtet ke, për shembull, 30 milionë euro buxhet për shëndetësinë, bëj çfarë të duash nuk i bën dot 60 milionë, se do t’ia heqësh një sektori tjetër. Këtu hyn miradministrimi, që këtë 30 milionë eurosh ta shfrytëzosh në mënyrën më të mirë të mundshme.

Në këto kushte që jemi, me këtë buxhet, me këto mungesa a kemi mundësi që një pjesë të mirë të buxhetit ta kalojmë për check-up?

Po. Po mendoj se check-up është i rëndësishëm, pasi mendoj se nga ana financiare është më mirë të parandalosh sesa të trajtosh. Por këtu duhet të ketë përparësi. Pra, duhet menduar: cila është gjëja kryesore? E para, jodi, e dyta aspirina, e treta antibiotiku e kështu me radhë. Pastaj kaloj te onkologjiku. Ne nuk mund të kemi një ilaç që kushton 30.000 euro dhe të na mungojë jodi në spital. Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë. Megjithatë, të mirëkuptohemi, kur them 30.000 euro, nuk flas për muhabete parlamenti. Sepse profesionistët gjykojnë ndryshe. Një profesionist i vërtetë shëndetësie gjykon kështu: shpenzoj x shumë parash. Çfarë përfitoj kur shpenzoj këto para? Shkenca mjekësore më thotë se përfitoj 6 muaj jetë më shumë në 30% të rasteve. A ia vlen ky 30% që t’i shtoj jetën këtyre pacientëve apo është më mirë që këto t’i shpenzoj për të kuruar një infeksion tjetër? Dhe këtu hyn miradministrimi i fondeve. Por kjo nuk duhet të bëhet në strukturat brenda Ministrisë së Shëndetësisë, ku njerëzit janë peng i përkatësive politike. Duhet të krijohen borde shkencore, profesionale dhe këshillimore. Për rastin e onkologjisë duhen zgjedhur onkologët më të mirë. Ata mund të të vlerësojnë se sa me vlerë është investimi që ti duhet të bësh në këtë sektor.

Është bërë ndonjëherë kjo?

Po, është bërë në mbledhjen e parë. Pastaj nuk u mblodhën më asnjëherë. Në fakt, duhet të merren mjekë me integritet moral dhe profesional dhe që nuk ndikohen nga asnjë parti. Kur ky bord vendos, atëherë edhe ministri mund të flasë më qetë. Edhe justifikon veten, sepse thotë: “Ia lashë çështjen bordit të mjekëve. Bordi i mjekëve më tha se parësore është x ilaç dhe jo herceptina. Kur të kemi para të tjera, do të vijë edhe herceptina”.

Ilir Beqaj

Ministri i shëndetësisë me mjekët

Por problemi i sotëm në onkologjik është se ilaçet shpërndhen në mënyrë të padrejtë. Nëse ke kufizim ilaçesh, atëherë ti do të bësh një listë transparente, në të cilën vendosen kriteret për personat që kanë përparësi në trajtim. Për shembull, vendos kriterin moshë. Mes një 60-vjeçari dhe një 40-vjeçari, do të kurohet 40-vjeçari. Ministria duhet të ngrejë borde dhe të mbrohet përmes këtyre bordeve.

Fatkeqësisht tek ne, ministri i Shëndetësisë nuk është mjek. Asnjë nga zv.ministrat nuk është mjek. Atëherë kush do t’i marrë vendimet e duhura?!

Edhe Enveri dikur bënte një kombinim: vendoste një ministër mjek shumë të zotin dhe një zv.ministër që ishte sekretar partie, që e mbante nën kontroll politik. Por i pari në mjekësi ishte gjithnjë i zoti.

Sot ka dalë që drejtori i spitalit duhet të jetë ekonomist. Nuk është logjike. Spitali është qendër kurative dhe shkencore, nuk është ndërmarrje ekonomike. Vendimmarrësi i parë duhet të jetë profesionist i shëndetit. Mua si mjek do të më duhen 8 orë t’i shpjegoj një ekonomisti apo një të një profesioni tjetër se pse më duhet një pajisje. Unë nuk do t’i bëj shkollë drejtorit. Është mbushur shëndetësia me njerëz që shikojnë çfarë hyn në xhepin e tyre dhe pastaj shohin ç’mund të mbetet për të përdorur për pacientin.

Doktor, mendoni se keni marrë shpërblimin e merituar për gjithë investimin?

Unë e kam ndarë veten nga poltika. Asgjë nuk më ka lidhur me të dhe asgjë nuk u kam kërkuar. Ndaj nuk pres asgjë dhe as nuk jam i zhgënjyer. Thjesht mendoj se politika nuk duhet të jetë aq e politizuar saç është. Ne kemi një politikë të politizuar skajshëm.

Portret – GAZETA SHËNDETI


Po kerkon te blesh apo shesesh shtepi? Kerkoni shtepi, dyqan me qera?
Kemi mijera zgjidhje, lini kontaktet dhe kerkesen tuaj dhe ne do tju kontaktojme brenda 24 oreve te ardhshme:

Please leave this field empty.


Ndihesh i lodhur dhe pa energji gjate dites? Konsumo produkte bio. Kliko Bioearth.al send




close